Mbi 200 mjekë vullnetarë nga Kosova, presin lejen e Qeverisë që t’i dalin në ndihmë Luginës së Preshevës, në luftën ndaj COVID-19

Mbi 200 mjekë vullnetarë nga Kosova janë paraqitur për të shkuar në Luginën e Preshevës për të monitoruar situatën e krijuar nga COVID-19.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla për Telegrafin ka deklaruar se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje në kërkesën që i kanë drejtuar Qeverisë së Kosovës për t’i lejuar mjekët kosovarë të shkojnë në Luginën e Preshevës për ta monitoruar gjendjen atje.

Syla tha se kjo kërkesë nuk ka të bëjë asgjë me politikën, ndërsa theksoi se bashkësia ndërkombëtare do të duhej të lironte edhe mjekët nga Kosova të  shkojnë në atë pjesë ku jetojnë shqiptarët, meqë kanë ndërmjetësuar që mjekët nga Serbia të hyjnë në territorin e Kosovës.

“Deri në këto momente ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje, as nga kryeministri, as nga ministri i shëndetësisë dhe as nga ministri i Punëve të Jashtme. Duhet me kuptu që kjo nuk është kërkesë politike, është një kërkesë solidare, humanitare e bazuar në konventat ndërkombëtare, të Vjenës dhe konventa tjera e cila përkon me situatën aktuale. Pra, pandemia është një luftë biologjike ku nuk njihen kufijtë dhe nuk ka dualizëm kombëtar. Në këtë kontest, nëse bashkësia ndërkombëtare është dashamirëse, atëherë siç ia ka leju mjekëve, apo ka ndërmjetësu që mjekët nga Serbia të vijnë në Kosovë, duhet tu lirojë edhe mjekëve nga Kosova të shkojnë në trojet shqiptare në Luginën e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit. Këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi unë konsideroj se me aktin që kam ba ne si Federatë, kontribuojmë në marrëdhëniet e mira në të ardhmen mes Kosovës e Serbisë, duke e njoftë shtetin reciprok”, tha Syla.Lexo po ashtu:FSSHK kërkon nga Qeveria e Kosovës t’i lejohet monitorimi i COVID-19 në Luginën e Preshevës

Syla po ashtu bëri të ditur se kërkesa e tyre nuk ka të bëj asgjë me politiken, përkundrazi edhe nëse ju lejohet që të shkojnë atje, ata nuk kanë për qëllim të takojnë politikanët, por vetëm institucionet shëndetësore dhe qytetarët.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla

“Partitë politike dhe figurat politike atje i udhëheqin politikat, ne po flasim për shëndetësi dhe nuk pretendojmë të shkojmë e të takohemi me organe politike, ne pretendojmë që të shkojmë me punëtorët shëndetësor dhe popullatën. Nëse më lejohet do të shkojë të takoj institucionet shëndetësore vetëm dhe popullatën, jo parti politike”, tha Syla.

Në mënyrë që gjithçka të jetë e qartë dhe të mos ngatërrohet me politikën, në krye të këtij delegacioni si vullnetar është paraqitur vet Syla, i cili deri më sot tha se numërojnë mbi 200 vullnetarë të gatshëm për t’iu bashkuar këtij misioni.

“Unë për shkak të depolitizimit do të shkojë dhe jam gati të shkoj i pari për ta udhëheq, nuk është patriotizëm, por arsyeja pse kam kërku me udhëheqë këtë delegacion është vetëm me ju ik partive politike dhe ngjyrimeve politike. Sindikata nuk ka politikë, andaj si e tillë Blerim Syla si kryetar i Sindikatës do ta udhëheq delegacionin dhe sa për informatë janë tashmë mbi 200 vullnetarë që janë paraqit”, tha kryetari i FSSHK-së për Telegrafin.

Mbrëmjen e së mërkurës, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, pas lejimit të ardhjes së punëtorëve shëndetësorë nga Serbia për të monitoruar situatën me COVID-19 në komunat e banuara me serbë në Kosovë, kërkon që e njëjta gjë t’u lejohet punëtorëve shëndetësorë nga Kosova që t’u dalin në ndihmë shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Në një letër dërguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ministrit të Jashtëm Glauk Konjufca dhe atij të Shëndetësisë Arben Vitia, FSSHK thotë se për një gjë të tillë janë ofruar vullnetarë duke u nisur nga vetë kryetari i kësaj federate Blerim Syla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *