Në Kosovë përdoren bombola gazi të vjetra rreth 40 vjet, të pacertifikuara – mungojnë edhe laboratorët

Shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj, i cili la të lënduar dhjetëra qytetarë ngriti shqetësimin për shkak të përdorimit të madh të tyre në vend.

I gjithë problemi del të jetë te mungesa e laboratorëve të gazit dhe kompanive që bëjnë certifikimin e bombolave të gazit e të cilat në Kosovë janë afër gjysmë shekulli të vjetra.E SPONSORUAR

Njoftohuni me Dukagjiini Center, qendrën më të re të biznesit në mes të qytetit.

SHIKO VIDEON

Udhëheqësi i Inspektoratit në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe njohës të rrethanave emergjente, tregojnë për KosovaPress sesi duhet të jetë e rregulluar çështja e mbikëqyrjes së shfrytëzimit të bombolave të gazit.

E kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani thotë për KosovaPress se duhet të autorizohen disa kompani që të kalibrohen bombolat në mënyrë që siguria të jetë më në nivel.

“Fjala bombolë tregon se ajo është një bombë. Në mëshirën e Zotit janë qytetarët prej bombolave të gazit sepse ne nuk kemi laboratorë të gazit, tek ne nuk kalibrohen bombolat, nuk certifikohen bombolat, çka do të thotë se kjo rrezikshmëri është gjithmonë tek qytetarët. Unë apeloj tek institucionet tona që sa më parë të autorizohen kompanitë, të cilat kalibrojnë, certifikojnë, asnjë bombolë të mos jetë e pacertifikuar, që do të thotë të jetë në trupin e saj shenja që është e certifikuar dhe është e lejuar të mbushet me gaz ose të shitet ai gaz. Tek ne kjo nuk ekziston. Prandaj, apelojmë që sa më parë këto gjëra të jenë sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, tha Berjani.

Sipas tij, mungesa e licencimit të kompanive që bëjnë certifikimin e bombolave të gazit ka bërë që në rastin e shpërthimeve të tyre të mos merr përgjegjësi askush.

“Naftëtarët janë të licencuar për shitjen e gazit, shumë normale, me standarde të BE-së duhet të jenë të licencuar në mënyrën më profesionale. Dhe, kur të vjen qytetari, bëhet mbushja e bombolës por bombola nuk është e certifikuar, nuk është e kalibruar, dhe këtu është problemi. Sepse nëse një bombolë certifikohet dhe kalibrohet, ajo kompani që e ka certifikuar e ka përgjegjësinë, e kështu përgjegjësinë nuk po e ka askush”, tha ai.

E udhëheqësi i Inspektoratit në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Hysni Komoni ka bërë të ditur për KosovaPress se javën e ardhshme do të dalin me raport të inspektimit.

“Në rastin e Ferizajt nuk mundem me dhënë të dhëna sepse është hetuesia duke punuar. Prej të hënës do të dalim me raport të hetimit dhe do të tregojmë pse ka ardhë, qysh ka ardhë deri tek shpërthimi… Ajo është detyrë e jona. Por, hetuesia e kryen punën e vet, unë nuk dua me ndërhy në punët e Hetuesisë. Por, sa i përket shkaqeve teknike javën tjetër do të dalim me raport të inspektimit, i cili nuk do të jetë i msheftë, për të gjithë ata që dojnë me e pa”, tha ai.

Komoni bëri të ditur se bashkë me ministritë përkatëse, atë të Ekonomisë dhe Ambientit dhe Ministrinë e Tregtisë, do të lansojnë një fushatë informuese në mënyrë të vetëdijësimit të qytetarëve lidhur me këtë çështje. Ai e pranon se në Kosovë ka bombola që janë në përdorim e që janë të vjetra rreth 40 vjet.

“Ne kemi bombola që janë qe 30-40 vjet, ato nuk bënë me u përdorë. Ka rregullore, ka ligj, çdo gjë është e rregulluar”, shtoi ai.

Në rast se nuk ndërmerren masa konkrete për mbikëqyrjen e shfrytëzimit të gazit, shpërthime të ngjashme në të ardhmen paralajmëron drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *